E bija e Vesel Pagarushës nga fshati Pagarushë i Malishevës.

Nexhmije Pagarusha është zëri më kumbues ndër shqiptarë. Karrierën e këngëtares e ka nisur në moshë të re, për të depërtuar në gjithë Jugosllavinë e atëhershme.

Ka interpretuar mbi 150 këngë në periudhën mes viteve ’50-të dhe mesi i viteve ’80-të.

Shumë prej tyre janë të njohura edhe sot e gjithë ditën. Është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore. Njihet me epitetin Bilbili i Kosovës. Ka marrë titullin “Nderi i kombit”. Këngëtare me potencialin vokale të një sopranoja, i ka ngritur në një nivel tjetër këngën e lehtë dhe atë popullore shqipe. Emri i saj mishërohet me veprën “Baresha” që ka shpërfaqur më së miri shtrirjen e zërit të saj.

Përveç këngës, bagazhi artistik i Nexhmijes përfshin edhe angazhimin në kinematografi, fushë në të cilën e ka dëshmuar veten duke u vlerësuar me çmime.

E bija e Vesel Pagarushës nga fshati Pagarushë i Malishevës, ka jetuar në Prishtinë.

Mirëpo, këto i dinë edhe zogjtë e malit në Kosovë…

(Marrë nga monografia për Nexhmije Pagarushën, me autorë Elvira Berisha dhe Shaban Maxharraj, botuar nga Integra)