Dyshohet se mashtruan kosovarin që e ka vëllain e burgosur në Serbi, arrestohen tre serbë në Klinë

Rastet e mashtrimit me shuma të mëdha parash nuk janë të rralla. Shumë herë kosovarët përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë pasi bien pre e rasteve të tilla, që iu shkaktojnë humbje. Kështu i ka ndodhur një personi në Klinë, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se janë arrestuar tre shtetas të Serbisë, të cilët dyshohet se në emër të vëllait të ankuesit – i cili është i burgosur në Serbi – kanë pasur për qëllim të marrin një shumë parash nga një anëtar i një organizate humanitare në Zvicër.

“Drejtoria Rajonale e Policisë, Stacioni Policor në Klinë, me datë 13. 02. 2024, rreth orës 08:30  është njoftuar nga ankuesi i cili ka paraqitur rastin qe kishte te bënte me vepër penale Mashtrim, me ç’rast disa persona ne emër  të vëllait të ankuesit  kanë pasur për qellim për të pranuar një shumë të hollave nga një anëtarë i një Organizate humanitare me seli në Zvicër, të cilët me herët kishin grumbulluar  një shumë të parave për ta ndihmuar vëllain e ankuesit i cili është i burgosur në Serbi”, thuhet në njoftim.

Tre të dyshuarit me inicialet L.A., R.H., dhe I.H., janë arrestuar në flagrancë në një lokal në Klinë.

Pas intervistimit të të dyshuarve në prezencën e Avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.