Dy policë kundër katër hajnave, skena si në filma sot në Ferizaj

Policia e Kosovës e ka konfirmuar grabitjen me armë zjarri në orët e para të mëngjesit sot në Ferizaj. Në një prononcim për Indeksonline thuhet se katër persona kanë shkrepur armët ndaj veturës së Policisë në të cilin ishin dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Sot rreth orës 04:50 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë tek pika e karburantit “Hib Petrol” në Ferizaj ishte një grabitje e armatosur në proces nga persona të panjohur.

Patrulla e policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtiejnë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim.

Shkëmbim zjarri kishte edhe nga ana e zyrtarëve policor, mirëpo të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes me një veturë që dyshohet se ishte karavan ngjyrë teget, i cila iku në drejtim të panjohur.

Në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata.

Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së policisë.

Rasti është cilësuar ” Tentim vrasje, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe grabitje e armatosur” ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës për informim në rajonin e Ferizajit.