Dukagjini gati për rrugëtimin e parë në Evropë

Altin Merlaku nuk ka luajtur kurrë në gara evropiane. Edhe ofertat për t’u paraqitur për ndonjë klub evropian i kanë munguar. Merlaku dhe bashkëlojtarët e tij do ta kenë rastin të paraqiten në Evropë me fanellën e Dukagjinit të Klinës. Klubi dukagjinas po bënë përgatitjet e fundit për debutim në garat evropiane.

Dukagjini të enjten do ta pres skuadrën nga Gjibraltari, Europa. Takimi që do të luhet nga ora 19:00 në “Fadil Vokrri”, i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Do të jetë shumë e rëndësishme ndeshja e parë, marrë për bazë debutimin në Evropë. Do të jetë ndeshje shumë e veçantë. Do të paraqitem për herë të parë me ekipin e qytetit tim, qytetit ku jam rritur. Më është realizuar ëndrra. Këtë ditë e kam pritur prej kohësh”, ka thënë Merlaku për KOHËN, të dielën.

Ai në një pjesë të ndeshjeve të edicionit të kaluar e ka bartur shiritin e kapitenit. Thotë se e ka dorëzuar për shkak të angazhimeve personale. Kontributi i Merlakut ka qenë i madhe në suksesin historik të Dukagjinit. Ka shënuar shtatë gola në kampionat. Tani kapiten është mbrojtësi Elton Basriu.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. E kemi përfunduar me sukses fazën përgatitore. Nuk kemi pasur shumë kohë pas përfundimit të kampionatit. Por gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë”, ka thënë Merlaku.

Derisa për Merlakun është debutim në garat e Evropës, Bujar Shabani ka dhjetë paraqitje në kupat kontinentale. Madje ka luajtur në tri garat e UEFA-s.

Ka luajtur me Dritën dhe Shkupin në garat kualifikuese të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Mesfushori 32-vjeçar është një prej lojtarëve të prezantuar te Dukagjini të dielën. Skuadra nga Klina ka prezantuar si përforcime edhe Iran Juniorin dhe Dren Fekën. Dukagjini ka prezantuar edhe dy talentet, Dardan Morina e Amsal Krasniqi.

Ka liruar disa futbollistë, ndër të tjera edhe Otto Johnin.

“Gjithmonë është ndjenjë e mirë të luash në ndeshje të nivelit evropian. Realisht pres të kalojmë këtë pengesë. Por në këto gara gjithmonë është e vështirë. Ne kemi përparësinë e terrenit vendas. Dhe, do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë përparësi, mirëpo gjithnjë duke pasur kujdes. Gjithsesi do të futemi vetëm për fitore”, ka thënë Shabani.

Dukagjini siguroi Evropën nga pozita e katërt në Superligë, pasi fituesja e Kupës, Prishtina, nuk u licencua nga FFK-ja për garat e UEFA-s.

Prishtina dhe FFK-ja kanë rast të hapur në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Dukagjini ka pasur fat në short, duke luajtur me skuadër nga Gjibraltari.