Dr. Haxhi Ibishi dhe Luigj Ademi marrin mbështetje të fuqishme nga qytetarët e Klinës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po vazhdon me intensitet takimet me qytetarë në mbarë vendin, duke gjetur mbështetje të gjerë anekënd Kosovës. Këtë mbështetje po e dëshmojnë edhe banorët e komunës së Klinës, të udhëhequr nga kryetari i komunës, Zenun Elezaj, të cilët po shprehen qartë se vota e tyre është për AAK-në dhe kandidatët për deputet nga Klina.

Dy kandidatët për deputet, Dr. Haxhi Ibishi (numri 22) dhe Luigj Ademi (numri 37), kanë zhvilluar sot takime me qytetarë në fshatrat Qupevë e Ulët, Gllarevë, Çabiq, Zabërgjë, Cerovik, Rixhevë, Stapanicë, Përçevë, Gjurgjevik i Madh dhe Shtanicë.

Gjatë këtyre takimeve, Ibishi dhe Ademi janë zotuar se do të jenë zëri i banorëve të këtyre zonave në Kuvendin e Kosovës dhe se do të punojnë për adresimin e shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve, me fokus zhvillimin lokal, përmirësimin e shërbimeve dhe përfaqësimin dinjitoz të Klinës.

Mbështetja e qytetarëve u cilësua si motiv shtesë për të vazhduar angazhimin politik me përkushtim dhe përgjegjësi ndaj votuesve.