Dorëzimi i peticioneve, Brukseli kërkon që zgjedhjet në veri të mbahen sa më shpejt

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt dhe e vlerësoi pozitivisht mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët serbë për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

“BE-ja vëren pozitivisht se procesi ka filluar që kur serbët e Kosovës kanë mbledhur nënshkrime për të filluar procesin e shkarkimit të kryetarit, në përputhje me Udhëzimin Administrativ. BE u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të sigurojnë vazhdimin e papengesë të procesit”, ka thënë Stano.

Tashmë, qytetarët serbë në katër komunat në Veri të Kosovës kanë mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit.

Listat e nënshkrimeve janë dërguar në KQZ dhe ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i tyre.

Peticionet me nënshkrime të votuesve pasi t’i përcillen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikimin e tyre, hapi i radhës është organizimi i votimit për shkarkimin e kryetarëve, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve.

Rezultati i këtij votimi më pas i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti gjatë kësaj jave thënë se zgjedhjet në komunat me shumicë serbe në veri mund të mbahen brenda pak muajve të ardhshëm.

Kurti tha se qeveria të cilën ai e drejton është e përkushtuar që të mbajë zgjedhje shpejt.

“Mund të jenë këtë vit – në disa muajt e ardhshëm”, tha ai.