Dervishaj jep dorëheqje nga dega e PDK-së në Gjermani: Na përçanë

Kryetari i degës së PDK-së në Baden-Württemberg të Gjermanisë, Shahin Dervishaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo degë, nën arsyetimin se ‘dega u përça nga individë të caktuar të Kryesisë së PDK-së’.

Ai shkruan:

I nderuari Kryetar i PDK-së, z. Bedri Hamza,

E nderuar Kryesi e PDK-së,

Të nderuar përkrahës të PDK-së në përgjithësi, dhe përkrahës të mi në veçanti,

Në frymën e përgjegjësisë politike dhe respektit ndaj proceseve demokratike, kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së, Dega Baden-Ëürttemberg, Gjermani.

Ky vendim nuk lidhet me ndonjë dështim personal apo institucional, por me bindjen time se rotacioni dhe qasjet e reja janë të shëndetshme për çdo organizim politik.

Kryesia e PDK-së vazhdimisht ka tentuar të na fajësojë për dështimin në mërgatë. Kjo akuzë nuk qëndron. Ne kemi kontribuar me përkushtim maksimal, pa asnjë interes personal, pa përfitime dhe pa kalkulime, por vetëm nga vullneti, përgjegjësia dhe dashuria për partinë.

Fajtori kryesor për rezultatin e dobët të zgjedhjeve në mërgatë ka qenë ndërhyrja direkte e individëve të caktuar, të cilët me veprimet e tyre kanë shkaktuar përçarje të vazhdueshme. Këto ndërhyrje kanë dëmtuar unitetin, kanë demotivuar aktivistët dhe kanë minuar punën e sinqertë të atyre që kontribuan pa interesa personale. Përgjegjësia nuk mund të bartet tek ata që punuan, por tek ata që përçanë.

Gjatë kësaj periudhe, kam ushtruar detyrën me përkushtim të plotë, integritet dhe transparencë, duke punuar në interes të partisë dhe të mërgatës sonë. Dorëheqja ime është një hap i vetëdijshëm për t’i hapur rrugë fazës së radhës së organizimit politik dhe forcimit të mëtejshëm të degës.

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Me respekt,

Kryetari i Degës së PDK në BadenWürttemberg,

Gjermani,

Shahin Dervishaj