Dallku shpreson në rezultat pozitiv ndaj Rijekës

Dukagjini do të përballet me Rijekën në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Konferencës.

Ndeshja e parë do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë me fillim nga ora 20:00.

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku në konferencë për shtyp ka thënë se kanë bërë më të mirën e mundshme në rrethin e parë dhe duan ta përsërisin atë sukses.

“Për ne është historike sa i përket përfaqësimit si klub ose si rajon i Dukagjinit, duke pasur parasysh se është hera e parë në këto gara. Kemi bërë më të mirën e mundshme sa i përket kalimit të turit të parë”.

“Kështu që për neve ka qenë esenciale. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi arritur në turin e dytë dhe shpresojmë të bëjmë paraqitje të mirë, t’i kënaqim ata tifozë që do të vijnë. Me disiplinë shumë të hekurt sa i përket anës tonë, për këto ditë sa kemi pasur mundësi të kërkojmë nga lojtarët tonë, të dalim me rezultat pozitiv”, tha Dallku në konferencë për shtyp.

Për këtë duel mungesë e madhe për klinasit do të jetë ajo e Bujar Shabanit që u ndëshkua me karton të kuq, derisa mbrojtësi Arbër Shala vazhdon të jetë në dyshim shkaku i lëndimit.

“Problematikën kryesore e kemi pasur rikuperimin e ekipit, marrë parasysh që kemi pasur një udhëtim jashtëzakonisht të gjatë, jashtëzakonisht të mundimshëm. Ato kanë qenë mundësitë tona të vetme për të arritur në Gjibraltar dhe për t’u kthyer”.

“Jemi munduar këto ditë, aq sa kemi pasur mundësi, t’i rikuperojmë djemtë. Bujari është mungesë relativisht e madhe për neve. Bujari është prej lojtarëve që në këto kompeticione, ka qenë ndër të vetmit që ka pasur shumë ndeshje në këmbë”, ka deklaruar ndër të tjera Dallku.