Daçiq i reagon Hotit: Vazhdimi i lobimit për ta njohur Kosovën, e papranueshme për Serbinë!

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia në marrëveshje me presidentin Aleksandar Vuçiq, do të ketë përgjigje në paralajmërimin e Kosovës se do të vazhdojë lobimin për njohje të pavarësisë.

Ai iu përgjigj kryeministrit Avdullah Hotit se lobimi nuk ishte pezulluar dhe se ka pranuar të bashkëpunonte me partnerë ndërkombëtarë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, transmeton Indeksonline.

“Ata gënjejnë gjatë gjithë kohës gjatë dialogut, gënjeshtra është baza e ekzistencës së tyre”, ka pohuar Daçiq.

“Menjëherë pas njoftimit të Grenell, ne thamë se nuk besonim që Kosova do t’i përmbahej marrëveshjes, kështu që kjo nuk është surprizë për ne. Ata nuk duan asnjë marrëveshje apo kompromis, ata thjesht duan që Serbia të njohë Kosovën”, vazhdoi ai.

Kreu i diplomacisë serbe deklaroi se një sjellje e tillë është absolutisht e papranueshme për Serbinë, duke theksuar se Serbia do të ketë një përgjigje, në marrëveshje me Presidentin Aleksandar Vučić.