CENSURË

Me faks?
Jo!
Me telegraf?
Jo! Jo!
As me e-mail,
as me viber?
O, jo!
Me asnjë web
letra te ju s’vjen.
As me celular,
as me kalë të bardhë
që përhitet i tërë
vrapit nëpër bjeshkë,
pastaj i dalin në pritë
te një shteg e të një lis.

Me asnjë lloj
të ndërlidhjes
së zhvillimit teknologjik
kjo letër tek ju nuk arrin.

Sepse paska diçka
që bën shkrumb
të gjitha linjat
të mos arrijë atje kjo letër.

Atje ku jeni ju e s’jemi ne,
atje ku keni atdhe.

EDHE NJË BETEJË

Në asnjë udhëkryq,
në asnjë shteg nate
gjakun tënd
të flasë s’ta lënë
(unë të ndiej ç’plagë merr
kur mundohesh të zgjohesh).

Jashtë çdo standardi
të arkitekturës së planetit
ta rëndojnë mbi eshtra
betonarmenë
(unë të ndiej ç’plagë merr
kur mundohesh të zgjohesh
nën gjithë atë peshë).

PA MATEMATIKË

Brenda
gjashtë mureve
i shkoi kjo verë
që zgjati
më shumë
se trembëdhjetë
muaj.
Shumëzonte,
mblidhte,
pjesëtonte
e krahasonte
nivelet e larta
të rritjes
zyrtare
ekonomike
me çmimin
e specave,
të domateve,
të ilaçeve
e të mungesës
në sofër
të frutave
vendore
që vdiqën
në mitrën
e sythave
nën qefinin
e bardhë
të borës
së kësaj vere
që mos raftë
me harrue.

KOHË JETIME

Shtatanikët të ndërzejnë
ters e mbrapsht
nën urat e tua,
në shtegun tënd e në shtrat.

Shtatanikët të ndërsejnë
orë e çast
kundër fytyrës së lashtë.

Me mëmë e atë gjallë
ti po rritesh jetime, koha ime.

GJËMIMET E ROZAFËS
(autorësia e urave tremb plagjiatorët)

Ku s’ka va sot
e ku s’ka urë,
Rozafa dorën
shtrin mbi lumë.

Andej gjëmojnë grykat,
këtu pushon shamata,
s’ka një tjetër,
një është Rozafa.