“Bllaca ‘99” bëhet me pamje të re

Të sigurosh një vend në të është e lehtë, por ishte krejt ndryshe 24 vjet më parë.

Për një kohë të shkurtër afër gjysmë milioni kosovarë synuan një vend në ulëset e këtij treni.

E në përvjetorin e ardhshëm, memoriali “Bllaca ‘99” pritet ta ketë një pamje të re, pas një bashkëpunimi në mes të komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencisë për Menaxhmin e Monumenteve.

“Qëllimi i trotuarit që është shtruar prapa vagonëve të trenit, ka për qëllim për më pa vizitorët një pamje komplet të vagonëvë dhe trenit përndryshe kjo nuk ka qenë më herët”, ka thënë për Tëvë 1, Sevdi Dernjani, nënkryetar në Komunën e Hanit të Elezit.

“Si total në fakt projekti ka vlerën e 54 mijë euro, prej tyre Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, ka ndarë 33 mijë euro. Për momentin po punohet në rregullimin e parkut dhe stazhi prapa trenit dhe po rregullohen disa pjesë teknike si këto anësoret dhe mbjellja e pemëve”, tregon ai.
Memoriali “Bllaca ‘99” vazhdon të jetë i hapur për vizitorë, pavarësisht punimeve.

Ndërsa këto pritet të përfundojnë në fund të këtij viti.

“Si projekt është përuruar një herë (në vitin 2019) por ka pasur punime të herë pas hershme në të, ndërsa këto të fundit është planifikuar të përfundojnë në fund të këtij viti”, ka thënë nënkryetari i komunës.

Treni që barti shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre ndodhet në ish-kampin e refugjatëve në afërsi të kufirit me Maqedoninë e Veriut.