Bie për 4 për qind numri i të infektuarve me Covid-19 në Itali

Italia ka parë të premten disa shenja të përmirësimit të situatës me koronavirus, edhe pse numri i viktimave nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, është rritur për 766, përkatësisht në 14,681.

Në të dhënat e reja të publikuara nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, numri i të infektuarve të rinj brenda një dite ka rënë për 4 për qind.

Numri i të shëruarve, ndërkaq, është rritur për 17.3 për qind, përkatësisht në 19,758, gjatë 48 orëve të kaluara.

Lombardia, rajoni i goditur më së keqi në Itali, ka regjistruar një rritje të vogël të pacientëve në kujdes intensiv, transmeton REL.

“Shifrat po përmirësohen. Spitalet kanë nisur të marrin frymë”, tha zyrtari kryesor mjekësor i Lombardisë, Giuli Gallera.

Koronavirusi, megjithatë, ka dëmtuar rëndë kapacitetet spitalore të Italisë dhe ka goditur keq ekonominë e këtij vendi.

Italia ka qenë vendi i parë evropian që ka mbyllur gjithçka, përveç farmacive dhe dyqaneve ushqimore, më 12 mars.

Mbyllja dhe ndalimi i tubimeve publike do të jenë në fuqi deri më 13 prill.

Italia ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë, ndërsa është e dyta me numrin e të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara.

SHARE