BE: Kurti dhe Vuçiq të gatshëm për rezultate konkrete në dialog

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, thotë se aktualisht në Bruksel po punohet për agjendën dhe rezultatet e mundshme të takimit të radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se parakusht për një raund të ri bisedimesh është gatishmëria e të dyja palëve për të rënë dakord mbi zhvillimet konkrete pozitive.

Stano thekson se si të dyja palët kanë treguar gatishmëri për përparim në dialog, por “më ngadalë nga sa duan BE-ja dhe SHBA-ja”.

“E mirëpresim gatishmërinë e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti për të ardhur në Bruksel për raundin e ardhshëm të dialogut politik të nivelit të lartë. BE-ja është e gatshme ta organizojë një takim të tillë sapo palët të tregojnë gatishmëri për të rënë dakord për rezultate konkrete pozitive që do të sjellin përfitime për qytetarët dhe do ta nisin procesin përpara”, tha Stano.

I pyetur nëse Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak u kthye nga vizitat në Prishtinë dhe Beograd me përgjigje konkrete dhe informacione të nevojshme për ta vazhduar procesin e bisedimeve, Stano tha se të dyja palët treguan përkushtim për dialog gjatë takimit me Lajcak dhe të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar. Ai tha për Tanjug se palët shfaqën përkushtimin e tyre për të ecur përpara në këtë proces.