Bastisje në Pejë – Në aneksin e shtëpisë u gjendën armë dhe afro 1 kg marihuanë, i dyshuari në arrati

Një operacion i ndërmarrë nga njësitet anti-drogë të Policisë së Kosovës në Pejë ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh dhe dy armëve të zjarrit. I dyshuari në këtë rast është aktualisht në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 11 korrik 2025, rreth orës 15:35, Njësiti për Hetimin e Narkotikëve – Pejë, në bashkëpunim me NJRSH-Pejë, ka ndërmarrë një bastisje të autorizuar nga Prokurori i Shtetit në lagjen Dardania III – Pejë, në shtëpinë dhe pronën e B.K., rreth 37-vjeçar.

Gjatë bastisjes, në një aneks të ndarë nga shtëpia, janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: 960 gramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, dy armë zjarri të tipit revole, secila me nga dy fishekë.

Në momentin e bastisjes, i dyshuari nuk ndodhej në shtëpi dhe aktualisht është në arrati. Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Krim-Teknika Rajonale, e cila ka bërë evidentimin dhe tërheqjen e dëshmive materiale.

Lidhur me rastin është iniciuar hetimi për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet janë duke u zhvilluar nga DHTN – Njësia në Pejë, ndërsa Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri rreth kësaj çështjeje.