Bashkëpunim ndërinstitucional për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur se është intensifikuar bashkëpunimi ndërinstitucional për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit që kanë prekur këtë komunë.
Përmes një postimi, Elezaj njoftoi se dje ka pritur në takim Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, Kastriot Lajçi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, si dhe me pjesëmarrjen e zyrtarit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Shëndrit Gashi.
“Së bashku diskutuam gjerësisht për situatën e emergjencës së krijuar si pasojë e reshjeve të fundit dhe vërshimeve në territorin e Komunës së Klinës”, ka shkruar Elezaj.
Ai theksoi se delegacioni qeveritar është njoftuar për masat e menjëhershme të ndërmarra nga komuna, përfshirë aktivizimin e plotë të Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, koordinimin e resurseve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur, si dhe punimet për rregullimin e shtratit të lumit dhe mbushjen e hapësirave të krijuara me gurë natyral.
Sipas kryetarit të Klinës, përkrahja nga niveli qendror është e domosdoshme për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare dhe bizneset lokale. “Kapacitetet buxhetore të komunës janë të pamjaftueshme për përballimin e kësaj situate”, ka theksuar Elezaj.
Nga ana tjetër, Kastriot Lajçi ka shprehur gatishmërinë e nivelit qendror për bashkëpunim të ngushtë me komunën e Klinës, me synimin që procesi i vlerësimit të dëmeve të jetë sa më i saktë dhe i shpejtë, duke krijuar kushte për përkrahjen e nevojshme në sanimin e pasojave të vërshimeve.