Baraliu: Qeveria VV-LDK më e fuqishme që në start

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë zhvilluar sot takimin e parë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë arritur një marrëveshje në parim, ku janë pajtuar që të presin certifikimin final të rezultateve të zgjedhjeve, e pastaj të arrijnë një marrëveshje finale.

Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu e quan lajm të mirë arritjen e një marrëveshjeje të tillë në mes të këtyre dy subjekteve politike, teksa tregon se konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë duhet të bëhet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Në një intervistë për KosovaPress ai thekson se këto dy subjekte, të cilat gjatë fushatës proklamuan ndryshimin, duhet të tregojnë shumë përgjegjshmëri para qytetarëve të vendit.

E në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës do të refuzonte të bashkëqeveriste me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Baraliut mandati do t’i takonte sërish subjektit më të madh, në këtë rast Vetëvendosjes.

Ai thotë se qeveria e re, e që bazuar në marrëveshjen e sotme pritet të përbëhet pikërisht nga Vetëvendosje dhe LDK, është më e sigurt dhe më e fuqishme se qeveria paraprake.

Si e tillë, Baraliu thotë se nuk e ka të nevojshme të hyjë në koalicion me ndonjë subjekt tjetër, porse do të ishte mirë që megjithatë të kishte 80 vota të deputetëve.

Meqenëse shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi ishte një nga hapat që edhe Kurti por edhe Osmani kishin thënë se do të ndërmerrnin pasi të vinin në postin e kryeministrit, Baraliu thotë se këtë mund ta bëjnë vetëm nëse ka ndonjë bazë kushtetuese.

Profesori universitar komenton edhe deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur kishte thënë se si kryeministër do të shoh mundësinë që në qeverinë e tij të ketë përfaqësues serbë që nuk janë nga Lista Serbe.

Ai sqaron për KosovaPress se kjo çështje është e rregulluar me faktin që komunitetet pakicë duhet ta pranojnë atë kandidat. Sipas tij, askush nuk mund ta akuzojë qeverinë e ardhshme që dikush që nuk do të shfrytëzojë një të drejtë të pafajësohet.

Sa i përket numrit të votave që një kandidat duhet të marrë për të arritur të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, Baraliu thotë se kjo varet nga konstalacioni dhe nga formula përkatëse që zbatohet. Megjithatë, një mesatare thotë të jetë 7-8 mijë vota.

Kujtojmë se liderët e dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, ai i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pajtuar për bashkëqeverisje, ndërsa për hollësitë e marrëveshjes do të vendoset në takimet e ardhshme.Njeshi/KP/