Banorët e Krushës, të indinjuar me uljen e dënimit ndaj Tasiqit

Familjarë të personave të vrarë e të zhdukur nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël, por edhe banorë nga fshatra tjerë kanë protestuar të enjten para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

Kjo protestë është zhvilluar pas përgjysmimit të dënimit ndaj Darko Tasiqit, njërit nga personat e dënuar për krime të luftës në Kosovë.

Protestuesit kanë thënë se ulja e dënimit është e papranueshme dhe veprim fyes nga ana e sistemit të drejtësisë.

Shpresa Shehu, përfaqësuese e fshatit Krusha e Vogël, tha se përveç vuajtjeve që kanë banorët, ata tash kanë edhe një brengë tjetër me vendimet e fundit nga gjykata.

“Është bërë padrejtësia më e madhe që ju ka përgjysmuar dënimi kriminelit Darko Tasiq. Ne jemi të indinjuar, jemi të shqetësuar e të mërzitur. Ai e ka pasur dënimin jo të mjaftueshëm me aq sa krime ka bërë në fshatin tonë dhe fshatrat e tjerë përreth”, tha Shehu, raporton “REL”.

Disa nga përfaqësuesit e këshillit organizativ të protestës kanë hyrë në një takim me përfaqësuesit e Gjykatë së Apelit për të marrë shpjegime për uljen e dënimit.

Gjykata e Apelit në Kosovë, ka njoftuar të martën se e ka miratuar pjesshëm ankesën e të akuzuarit Darko Tasiq, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të datës 22 qershor 2020, sipas të cilit ai është dënuar me 22 vjet burgim me akuzat për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit është thënë se vendimi paraprak i gjykatës në Prizren është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim.

Për pasojë, dënimi ndaj Tasiqit është ndryshuar nga 22 në 11 vjet burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.

Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Tasiq ishte shpallur fajtor edhe për akuzën që thotë se në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, Tasiq ka marrë pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13,500 persona.