Arrestohet pronari i argjendarisë “Agani” në Pejë, Policia i gjen armë ilegale me mbi 10 fishekë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë të ndryshme ilegale, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe të martën në argjendarinë “Agani” në Pejë, pasi Dogana po kryente kontroll dhe njoftoi Policinë për rastin e armëmbajtjes nga pronari i lokalit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i dyshuari është gjetur një armë me mbi 10 fishekë, të cilën i dyshuari e posedonte pa pasur leje.

Pas përfundimit të kontrollit policor, arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Rajonit të Pejës.

“Rr. Qarshi e Gjatë, Pejë 22.08.2023-12:25. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit ne lokalin e tij i është gjetur dhe konfiskuar një revole me 11 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.”

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“