Arrestohet një person për veprimtari të lojërave të fatit në Skenderaj, sekuestrohen pajisje

Policia ka bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar disa pajisje të lojërave të fatit në një lokal në rrugën “28 Nëntori” në Skenderaj.

Shtatë aparate të lojërave, dy televizorë për shërbime të basteve, një kompjuter dhe disa dëshmi të tjera janë sekuestruar.

Policia ka arrestuar një të dyshuar për këtë rast dhe të njëjtin e ka liruar pas intervistimit.

“Gjatë kontrollit në një lokal si prova materiale janë sekuestruar: shtatë aparate të lojërave, dy televizorë për shërbime të basteve, një kompjuter dhe disa dëshmi tjera. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.