Arrestohen 17 persona për dëmtim të mjedisit përgjatë lumit Drini i Bardhë

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se pas një hetimi disamujot sot ka zhvilluar një aksion në rajonin e Prizrenit, përkatësisht në 15 lokacione, gjatë të cilit janë arrestuar 17 persona të dyshuar për “Degradim të mjedisit”.

Po ashtu janë sekuestruar 38 mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë: 9 kamionë, 14 eskavatorë, 15 makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit është rreth 2 milionë euro.

Ata dyshohet se nga muaji shkurt 2025 deri më 4 qershor 2025 kanë ndotur, degraduar dhe shkatërruar mjedisin përreth lumit “Drini i Bardhë” por edhe kanë shfrytëzuar jashtëmase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr.

“Të pandehurit, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe shfrytëzojnë jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr. Me këto veprime secili veç e veç ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 të KPRK-së. Po ashtu, të njëjtit, nga veprimet e lartëcekura shkatërrojnë rrjedhën e lumit nga nxerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast shkaktojnë rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK- së.”

Gjatë zhvillimit të aksionit, njëri nga të dyshuarit ka penguar policët në kryerjen e detyrës/

“Po ashtu gjatë zhvillimit të aksionit, njëri nga të pandehurit ka penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të punës. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penele “Pengimi i personit zyrtar në kryejren e detyrave zyrtare” nga neni 401 të KPRK-së, si dhe njëri nga të pandehurit ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 sipas KPRK-së.”

Ata janë ndaluar për 48 orë.

“Shtatëmbëdhjetë (17) të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.”

“Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.”/