Arbërie Nagavci dënon aktin e avokatit Gashi, ja tregon Nenin 1

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si çnjerëzore dhe të padrejtë sjelljen e avokatit kosovar, Tomë Gashi, ndaj një personi të varfër që kërkonte lëmoshë në një prej shesheve të Prishtinës.

Nagavci thotë se liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara dhe se një gjë të tillë duhet ta dinë sidomos ata që merren me drejtësi, duke aluduar kështu në juristin Tomë Gashi.

Ajo ka thënë se akti i mbrëmshëm i Tomë Gashit është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet.

“Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cenon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet”, ka shkruar Nagavci.

Mbrëmë nëpër gjithë mediat ka qarkulluar një incizim ku shihet se si Tomë Gashi qëllon me shqelm një copë letre të cilën njeriu që kërkonte lëmoshë e kishte vendosur përpara vetes për t’i grumbulluar paratë që mund t’ia jepnin kalimtarët e rastit.

Gashi ndryshe gjatë zgjedhjeve të fundit ka përkrahur hapur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërkohe djali i tij që mbanë emrin e liderit të VV’së kishte garuar brenda listës së partisë së Kurtit për deputet.

Reagimi i plotë i Nagavcit:

Nuk është njerëzore e as e drejtë të sillesh me përçmim dhe të ngacmosh më të varfërit dhe më të dobtit.

Çdo kush duhet ta dijë, e sidomos ata që merren me drejtësi, se respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është i garantuar për secilin dhe duhet të respektohet nga secili.

Zhurma e lypsarit s’do të duhej të heshtet, ajo është zhurmë që bënë thirrje për reflektim përtej saj. Republika e Kosovës ka organet, institucionet e entet që do të duhej të merreshin me secili rast dhe atë në mënyrë shumë të ndjeshme dhe asesi një qytetar të vendos vet drejtësi, kushdo qoftë ai.

Është obligim i institucioneve për të krijuar kushte e mirëqenje për qytetarët, për t’u siguruar se inspektorati kryen punën e vet, se keqbërësit marrin përgjegjësi sipas ligjit e ata në nevojë mbështeten e përkrahen.

Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cenon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet.

“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi”,

Neni 1, Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut.