Arben Limanaj: Klina meriton një të ardhme më të mirë, ndryshimi i mirë fillon tani

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Klinës, Arben Limanaj, ka shpërndarë një mesazh për qytetarët, ku thekson se vizioni i tij dhe ekipit është ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për komunën.

“Sot, më shumë se kurrë, unë ndihem i nderuar të jem para jush. Jo vetëm si kandidat për kryetar të komunës, por si biri i këtij qyteti, si njeri që është rritur në këto rrugë, që i ka përjetuar sfidat e këtij vendi, dhe që beson me gjithë zemër se Klina jonë meriton një të ardhme më të mirë”, ka shkruar Limani në një postim publik.

Ai theksoi se me Lidhjen Demokratike dhe ekipin e tij, Klinës do t’i ofrohet një “frymë e re”, duke e vendosur qytetarin në qendër të qeverisjes.

“Ne besojmë se fuqia e vërtetë qëndron tek bashkëpunimi. Ju, qytetarët e Klinës, jeni pjesa më e rëndësishme e këtij rrugëtimi. Ju keni dijen, përvojën, energjinë dhe dëshirën për të parë vendin tuaj të lulëzojë. Prandaj, unë dua të jem i qartë: ne jemi të hapur, ne jemi bashkëpunues dhe çdo qytetar është i mirëpritur të bëhet pjesë e këtij vizioni”, ka thënë ai.

Limanaj premtoi një qeverisje të ndershme dhe të hapur, duke theksuar se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallim politik.

“Nuk premtoj mrekulli, por premtoj punë të palodhur. Premtoj një qeverisje të ndershme, të përgjegjshme dhe të hapur. Premtoj se do të jem kryetari i të gjithëve – jo vetëm i atyre që më votojnë, por i çdo qytetari të Klinës”, ka deklaruar kandidati i LDK-së.

Ai e përmbylli thirrjen e tij me mesazhin:

“Le të ecim përpara, bashkë për Klinën – sepse ndryshimi i mirë fillon tani, dhe fillon prej nesh.”