Amerikanët nga selia e OSBE-së në Vjenë i çojnë mesazhe Kosovës për dinarin

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një aspekt thelbësor i stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

Kështu ka deklaruar misioni i SHBA-së në OSBE në një deklaratë të lëshuar për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne i nxisim të dyja vendet që të angazhohen në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të forcuar demokracinë, integrimin ekonomik në BE dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe respektin shumetnik”.

Për Kosovën kanë përsëritur qëndrimin për çështjen e dinarit, ndërkaq kanë potencuar edhe dështimin e Serbisë për të mbajtur përgjegjëst autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

“Vendimi i njëanshëm i Kosovës për të kufizuar importimin e dinarit serb nuk i avancon këto objektiva. I bëjmë thirrje Kosovës që të shtyjë menjëherë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit dhe të pakoordinuara që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, duke përfshirë bastisjet e institucioneve të mbështetura nga Serbia dhe mbylljen e shërbimeve në të cilat mbështeten qytetarët e Kosovës. Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet që prekin komunitetin e pakicës serbe në Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Ndërkohë, dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmeve të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim. Menjëherë pas atyre sulmeve, ne i bëmë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi të gjithë përgjegjës. Fatkeqësisht, ne duhet ta bëjmë këtë përsëri sot”, ka thënë misioni i SHBA-së.

SHBA thotë se Kosova i dorëzoi BE-së një raport prej 48 faqesh më 26 janar, duke paraqitur gjetjet e saj për sulmin në Banjskë.

“Ish-drejtuesi i Listës Srpska, i sanksionuar nga SHBA dhe BE, Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjska. Megjithatë, Radoiçiq dhe të tjerët që janë përgjegjës për veprimet e tmerrshme nuk janë mbajtur përgjegjës”.

SHBA tha se Serbia duhet të mbajë përgjegjës autorët dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit dhe të punojë me misionin e NATO-s në Kosovëpër të siguruar që një sulm tjetër si ky të mos ndodhë më.

“Më lejoni të ritheksoj: Prioriteti ynë mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e zbatimit të saj në shkurt dhe mars të vitit 2023, për të cilat BE-ja ka thënë se janë angazhime ligjërisht të detyrueshme. Ato shërbejnë si një udhërrëfyes për secilën palë për të ulur tensionet dhe për të ecur urgjentisht përpara në rrugët e tyre përkatëse europiane. Progresi drejt paqes afatgjatë është me rëndësi jetike për popullin e Kosovës dhe Serbisë, si dhe për stabilitetin afatgjatë të rajonit. Falënderojmë misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre të vazhdueshme, në kushte të vështira, për të ndihmuar që kjo të bëhet realitet”, përfundon SHBA.