Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Shkëlqesia e Tij Jonathan Hargreaves, realizoi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Komunën e Klinës. Ai u prit nga kryetari i komunës, Zenun Elezaj, dhe nënkryetarja Marqe Selmanaj, me të cilët zhvilloi një takim zyrtar për të diskutuar mbi çështje të rëndësishme ekonomike e sociale që prekin qytetarët e Klinës.
Gjatë takimit, kryetari Elezaj e informoi ambasadorin britanik për projektet që janë realizuar në komunë, sfidat aktuale, si dhe potencialin ekonomik që Klina ofron për investime dhe zhvillim. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë britanike ndaj popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës.
Në kuadër të vizitës, ambasadori Hargreaves dhe përfaqësuesit komunalë vizituan edhe lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, një prej thesareve kulturore më të rëndësishme të Klinës, me vlera të mëdha historike dhe potencial të madh turistik.
Vizita e ambasadorit britanik u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Klinës dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.