Alketa Mehmetaj ka njoftuar përmes një postimi publik se është zgjedhur në vendin e parë të listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë për zgjedhjet komunale të 12 tetorit. Ajo falënderon kryesinë e qendrës për besimin dhe përkushtimin e treguar ndaj saj.
“Faleminderit shumë Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë për besimin e treguar, duke më zgjedhur me shumicë votash në vendin numër 1 të listës zgjedhore për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, gjatë mbledhjes së mbajtur më 11.08.2025.
Kjo përgjegjësi më mbush me gëzim dhe me përkushtim të madh për t’i shërbyer komunitetit tonë.”, ka shkruar Alketa Mehmetaj
Megjithatë, vetëm disa orë më pas, ka reaguar edhe vetë Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, duke mohuar zyrtarisht se listat janë përpiluar apo se është zgjedhur ndonjë emër në krye të saj.
“Të nderuar anëtarë dhe aktivistë,
Dëshirojmë t’ju informojmë se Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Klinë ende nuk e ka përpiluar listën për Asamble dhe nuk e ka zgjedhur ende të parin e listës.
Emri që po qarkullon në internet, i shpërndarë nga një aktiviste e jona dhe mediumi “Drini TV”, nuk është i vërtetë. Lista zyrtare do të publikohet nesër dhe do të njoftoheni për renditjen e saj.
— Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Klinë
Situata ka krijuar paqartësi rreth përbërjes përfundimtare të listës së kandidatëve të Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale në Klinë. Pritet që lista zyrtare të bëhet publike më 13 gusht.