Aksidenti tragjik në Klinë, Policia: Dyshohet se automjeti nuk ishte ndalur te shenja STOP para hekurudhës

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmë në fshatin Krushevë të Klinës, ku për pasojë i mori jetën dy personave, pasi u përfshinë një furgon dhe treni.

Viktimat janë çifti Fahri dhe Vlora Deçani, të cilët ndërruan jetë në spital.

Lajmin për vdekjen e tyre e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se janë informuar nga mjeku kujdestar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, që viktimat s’kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Tutje në një njoftim të mëtejmë, thuhet se shoferi, tashmë i ndjerë nuk e kishte ndalur veturën te shenja ‘STOP’, në aksident është përfshirë treni i udhëtarëve.

“Krushevë e Madhe, Klinë / 09.03.2024 – 18:10. Një mashkull dhe një femër kosovar-e kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur midis automjetit (furgon) që po udhëtonin dhe një treni. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i automjetit (i vdekuri) nuk e ka ndaluar automjetin në shenjën STOP para vendkalimit mbi hekurudhë me ç’rast është goditur nga treni. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë