Agim Fejzullahu takon mësimdhënësit e komunës: Arsimi, themeli i së ardhmes së vendit

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 72, Agim Fejzullahu, ka zhvilluar sonte një takim me mësimdhënës të disa shkollave të komunës, së bashku me dy kandidatët e tjerë për deputet, znj. Arta Pantina dhe z. Haxhi Raci.

Fejzullahu e ka vlerësuar këtë bashkëbisedim si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke theksuar rolin kyç që mësimdhënësit kanë në ndërtimin e shoqërisë dhe të së ardhmes së vendit.

“Bashkëbisedimi me mësimdhënësit është gjithmonë i mirëseardhur dhe jashtëzakonisht i vlefshëm. Ata kanë çfarë të thonë, kanë çfarë të rekomandojnë dhe, mbi të gjitha, kanë vizion,” është shprehur Fejzullahu.

Ai ka theksuar se mësimdhënësit përfaqësojnë mendjen e ndritur të vendit dhe janë shtylla kryesore e edukimit të brezave të rinj.

“Mësimdhënësit janë mendja e ndritur e këtij vendi. Janë ata që kurrë nuk thonë ‘u lodhëm’ dhe që asnjëherë nuk e humbin motivin për t’u dhënë fëmijëve tanë sa më shumë dije. Përkushtimi i tyre i palodhur është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja jonë,” ka deklaruar ai.

Sipas Fejzullahut, vetëm përmes një arsimi cilësor, dialogut të sinqertë dhe vlerësimit real të punës së mësimdhënësve, Kosova mund të ecë përpara me hapa të sigurt drejt zhvillimit.

“Mirënjohje dhe respekt për ta, sepse aty ku ka dije, ka shpresë dhe zhvillim,” ka përfunduar kandidati i PDK-së, Agim Fejzullahu.