Abdixhiku: Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj, në Kuvend vendosim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së partisë, e cila njoftoi se dorëheqjen ia ka kërkuar edhe Abdixhikut.

Kreu i LDK-së, ka thënë se nuk i shmanget asnjë përgjegjësie duke thënë se ka marrë hapin moral si kryetar, atë të paraqitjes së dorëheqjes para organit më të lartë të partisë.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së. Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se në Kuvendin e partisë do të diskutohet dhe do të merren vendime.

“Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartroktijeve të kundërshtarëve. LDK është institucion”, ka shkruar Abdixhiku.