Abazoviq: Politika ime e çoi Gjukanoviqin në pension

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se politika e tij udhëheqëse në një vit qeverisje ka bërë që shteti të cilin ai e udhëheq të ketë përparime të mëdha.

Abazoviq tha se Mali i Zi sot e ka pagën mesatare më të lartën në rajon, e cila sipas tij është 771 euro, e që është rezultati i qeverisjes së tij.

“Mali i Zi e ka pagën mesatare më të lartë në rajon, e cila është 771 euro. Kjo ishte arritje e qeverisë sime. Mali i Zi është shteti me pagën minimale më të madhe në rajon e cila është 450 euro. Mali i Zi në vitin 2022 e ka përfunduar më 1 miliard e 50 milionë investime ndërkombëtare, ku për të parën herë GDP-ja ka kaluar 5 miliardë euro”, është shprehur Abazoviq në Rubikon.

Tutje, ai tha se arritje nga politika e tij është edhe siç e quajti ai, pensionimin nga politika të ish-presidentit Milo Gjukanoviq.

“Në Mal të Zi më në fund ka një politikë që e kam prezantuar në gusht të vitit 2020, ku ajo ka arritur të bëhet politikë dominuese në Mal të Zi. Kjo është një luftë politike për një Mal të Zi evropian, qytetar e ekologjik. Pas një viti, ne e kemi pasur situatën ku e kemi çuar në pension Gjukanoviqin pas 30 vjetësh, dhe kemi jashtëzakonisht rezultate të mira në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, tha Abazoviq.