KQZ: Të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve

Qytetarët e Republikës së Kosovës në muajin e ardhshëm pritet t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në katër vitet që po na presin.

Një datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare është folur 7 shkurti, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mohon të ketë shprehur ndonjë shqetësim tek Zyra e Presidencës nëse caktohet e njëjta datë, për shkak të afatit të shkurtë.

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, ka dhënë për IndeksOnline se në lidhje me datën e zgjedhjeve, kryetarja e KQZ-së ka shprehur qëndrim publikisht e që s’kanë dërguar asnjë informatë në adresë të Presidencës.

” Jo, KQZ-ja nuk i ka dërguar ndonjë informatë të tillë zyrës së Presidencës.

Lidhur me datën e zgjedhjeve, kryetarja e KQZ-së e ka shprehur qëndrimin publikisht, ditë më parë, që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur”, thotë Elezi.

Kujtojmë që sot Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e plotë në rastin e deputetit Etem Arifi, vota e të cilit u shpall si e pavlefshme, çka që rrëzoi edhe Qeverinë e udhëhequr nga LDK në krye me Avdullah Hoti.