Klina po bëhet me park dhe me fushë ndihmëse të futbollit

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, përmes facebook-ut ka njoftuar se ka nisur ndërtimi i parkut të qytetit dhe i një fusheje ndihmëse të futbollit.

Postimi i kryetarit:

Sot, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, bashkë me zëvendësministret Magbule Shkodra e Fatbardha Emini dhe bashkëpunëtorë të komunës, kemi përcjellur nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e fushës ndihmëse dhe rregullimin e parkut të qytetit, një projekt të rëndësishëm për të rinjtë e qytetarët e Klinës.

Ndërtimi i fushës ndihmëse të futbollit do të ofrojë kushte të përshtatshme për zbulimin e zhvillimin talenteve të rinj klinas.
Po ashtu, në kuadër të këtij projekti përfshihet edhe rregullimi i parkut të qytetit, i cili tashmë ka filluar transformimin e shumë shpejt do të merr pamje krejtësisht tjetër dhe do të krijohen hapësira rekreative, do të bëhet ndërtimi i fushës së volejbollit me rërë, rregullimi i dy fushave të pingpongut, rregullimi i parkut të hapur të fitnesit mbjellja e pemëve dekoruese dhe rregullimi i ndriçimit.

Projekti ka një vlerë prej 124 877 euro dhe është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Klinës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe është rezultat i vlerësimit pozitiv që ka marrë Komuna e Klinës në raportin e përformancës dhe punëve e shërbimeve të mira që kemi bërë gjatë vitit 2019.