Tifozi i skuadres turke kapet me 40 gramë drogë në Vërmicë – thotë se e bleu në Durrës për 100 euro

Një shtetas i huaj është arrestuar në pikën kufitare të Vërmicës, pasi është kapur me substancë narkotike gjatë hyrjes në Kosovë.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 29 mars 2026 rreth orës 17:00, kur autobusi i kompanisë “Auloni Tours”, që po hynte nga Shqipëria në Kosovë, është ndaluar për kontroll rutinë.

Sipas informatave, gjatë verifikimit të dokumenteve, zyrtarët policorë kanë ndjerë aromë të dyshuar të marihuanës nga pjesa e përparme e autobusit, çka ka ngritur dyshime për posedim të narkotikëve.

Pas selektimit në vijën e dytë dhe kontrollit të detajuar, në çantën e të dyshuarit Dogukan Dycgyn Keles është gjetur një sasi marihuane prej rreth 40 gramësh.

I dyshuari, shtetas gjerman me prejardhje turke, ka deklaruar se kishte ardhur në Kosovë për të ndjekur një ndeshje futbolli Kosovë–Turqi, ndërsa substancën narkotike, sipas tij, e kishte blerë në Durrës për rreth 100 euro dhe e posedonte për përdorim personal.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Stacionin Policor dhe më pas në njësinë e DHTN-së në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit për krime të përgjithshme, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Hetimet për rastin po zhvillohen nga njësia përkatëse në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata