Sqaron Komuna e Klinës: Nuk ka plane për deponi të mbeturinave te Liqeni i Sferkës

Komuna e Klinës ka pranuar shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të banorëve të fshatit Sferkë, lidhur me disa pretendime se hapësira në vendin e quajtur Liqeni i Sferkës mund të caktohet si lokacion për një deponi të mbeturinave.
Në këtë drejtim, Komuna e Klinës njofton publikun se nuk ka planifikuar dhe as nuk ka shqyrtuar ndonjëherë mundësinë e caktimit të këtij lokacioni për deponi të mbeturinave.
“Po ashtu, bëjmë të ditur se zona e Liqenit të Sferkës është nën menaxhimin e kompanisë Boksitet e Kosovës, e cila monitorohet nga Agjencia e Kosovës për Privatizim dhe Agjencia për Menaxhimin e Minierave dhe Mineraleve të Kosovës. Çdo veprim ose ndërhyrje në këtë hapësirë mund të realizohet vetëm me autorizimin e institucioneve përkatëse”, thuhet në sqarimin e Komunës.
Ndryshe, Komuna e Klinës tutje thekson se Liqeni i Sferkës duhet të ruhet dhe të trajtohet si një hapësirë me potencial për zhvillimin e turizmit dhe si atraksion për qytetarët.
“Komuna mbetet e përkushtuar për transparencë dhe për informim të drejtë të qytetarëve për çdo çështje që lidhet me interesin publik”.