Abedin Rexha “Sandokani” përjetësisht në histori, zbulohet pllaka përkujtimore e Heroit të Kombit

Sot në Klinë është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit Abedin Rexha “Sandokani”, në një ceremoni zyrtare të organizuar për nderimin dhe përjetësimin e veprës së tij heroike.

Ngjarja u mbajt në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve, të cilët nderuan figurën e një prej komandantëve të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare.

Me këtë rast, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), selia qendrore, Hysni Gucati, theksoi se kujtimi i dëshmorëve duhet të jetë i përhershëm, duke vënë në pah se nderimi i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në data përkujtimore.

Ndërkaq, ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe njehrit kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, deklaroi se pa luftën e drejtë të UÇK-së nuk do të ishte e mundur të gëzoheshin liritë dhe të arriturat e sotme.

Ai bëri të ditur se, si kryetar i komunës, është zotuar që gjatë mandatit të tij të realizohet përjetësimi i Kullës së Abedin Rexhës, si dhe i objekteve të tjera me vlerë historike.

Në përmbyllje të ceremonisë, bashkëluftëtarë të Heroit Abedin Rexha recituan vargje përkujtimore, përmes të cilave u reflektua personaliteti, karakteri dhe fryma e tij luftëtare, duke e rikujtuar Sandokanin si simbol të sakrificës dhe qëndresës kombëtare.