Zenun Elezaj: Skender Rexhepi – Komandant “Hekuri” mbetet simbol i sakrificës për lirinë

Sot është shënuar 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të Kombit, Skender Rexhepi – Komandant “Hekuri”, i cili ra në fushën e nderit më 21 janar 1999, në Fortesë (ish Bellacerrkë), duke luftuar kundër forcave armike.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kujtuar jetën dhe veprën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se Skender Rexhepi ishte mishërim i trimërisë, vendosmërisë dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun dhe lirinë, shkruan Klina info.

Sipas tij, rënia e Komandant “Hekurit” përbënte një humbje të madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një goditje të rëndë për bashkëluftëtarët e tij, të cilët humbën një udhëheqës të guximshëm dhe të përkushtuar.

Statusi i plotë i kryetarit Elezaj:

27 vjetori i rënies heroike të dëshmorit të Kombit, Skender Rexhepi

Sot u bënë 27 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të Kombit, Skender Rexhepi, Komandant “Hekuri”, i cili ra në fushën e nderit duke luftuar kundër armikut më 21 janar 1999, në Fortesë (ish Bellacerrkë).

Komandant Hekuri ishte mishërimi i trimërisë, vendosmërisë dhe dashurisë për atdheun e lirinë.

Rënia e “Hekurit” ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa për bashkëluftëtarët e tij një goditje e rëndë.

Skender Rexhepi rridhte nga një familje atdhetare, ku u edukua në frymën patriotike. Që në moshë të re u angazhua në aktivitete kombëtare, për çka edhe u arrestua nga regjimi serb. Megjithatë, asgjë nuk e ndali dëshirën e tij për liri, asgjë nuk ia zbehu trimërinë dhe gatishmërinë për të luftuar për atdheun.

Ai u flijua që Kosova të jetojë e lirë, që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të jetojnë me dinjitet. Gjaku i tij dhe i të gjithë dëshmorëve është themeli mbi të cilin u ndërtua liria jonë.

Lavdi jetës dhe veprës së heroit Skender Rexhepi!

Lavdi dëshmorëve të kombit!