Shqetësim nga qytetarët e Klinës: trotuari i dëmtuar në rrugën “Haxhi Zeka” paraqet rrezik

Në redaksinë e Klina.info ka ardhur një shqetësim nga një qytetare e Klinës, e cila ka zgjedhur të mbetet anonime.

Sipas saj, në rrugën “Haxhi Zeka” në Klinë, gjatë ndërtimit të një banese të re, punëtorët kanë dëmtuar trotuarin ekzistues. Janë hequr kubëzat dhe dy pjesë të trotuarit kanë mbetur të shkatërruara, pa u rikthyer në gjendjen e mëparshme edhe pas përfundimit të punimeve.

Qytetarja thekson se kjo situatë paraqet rrezik të përditshëm për banorët e lagjes, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me karroca, duke pasur parasysh edhe shpejtësinë e automjeteve që hyjnë në këtë rrugë nga qyteti.

Përveç rrezikut për sigurinë, ajo shton se pamja e trotuarit të dëmtuar po e prish dukshëm ambientin e lagjes.

Banorët kërkojnë nga institucionet kompetente që ta shqyrtojnë këtë rast dhe të ndërmarrin masa sa më parë për rikthimin e trotuarit në gjendjen që ka qenë më parë.

Klina.info do të vazhdojë të përcjellë shqetësimet e qytetarëve dhe t’i adresojë ato tek autoritetet përgjegjëse.