Komuna e Klinës hap afatin për aplikim për vlerësimin e dëmeve pas reshjeve të shiut

Komuna e Klinës, përmes Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjente, ka njoftuar zyrtarisht hapjen e procesit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit që kanë prekur territorin e komunës.

Vendimi është marrë pas formimit të Komisionit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, i cili do të dalë në terren për të vlerësuar dëmet e raportuara nga qytetarët e prekur, shkruan Klina info.

Sipas njoftimit, qytetarët që kanë pësuar dëme ftohen të dorëzojnë kërkesat e tyre në arkivin e Komunës së Klinës. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin: kërkesë me shkrim ku specifikohet lloji i dëmit, kopje të letërnjoftimit valid, konfirmim bankar me xhirollogari aktive, foto dëshmi të dëmeve të shkaktuara si dhe numër telefoni kontaktues.

Nga Komuna bëhet e ditur se kërkesat e paplota ose ato që nuk përmbajnë dokumentacionin e kërkuar do të refuzohen.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është data 19 janar 2026, ndërsa qytetarët inkurajohen të respektojnë afatin në mënyrë që komisioni të ketë mundësi të realizojë vlerësimin e të gjitha rasteve brenda kohës së paraparë.