Kryetari Elezaj dhe udhëheqja komunale nderuan dëshmorët pas mbledhjes inauguruese

Sot është mbajtur Mbledhja Inauguruese e Kuvendit të Komunës së Klinës.
Menjëherë pas kësaj mbledhjeje dhe ceremonisë së betimit, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe kryesuesi i Kuvendit, Enver Berisha, bashkë me asamblistët, kanë bërë homazhe pranë shtatores së Mujë Krasniqit në qendër të Klinës.

Më pas, ata kanë vazhduar tek varrezat e dëshmorëve në Grabanicë, për të nderuar dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës që sakrifikuan jetën për liri dhe pavarësi.

Aty, Elezaj tha se gjaku i dëshmorëve është amanet, duke theksuar se institucionet dhe qytetarët kanë detyrimin moral dhe institucional të punojnë çdo ditë për ta përmbushur këtë amanet me përkushtim,

përgjegjësi dhe zhvillim të vazhdueshëm të komunës dhe vendit.