Halit Zogaj dorëhiqet nga pozita në PDK Malishevë, dega nuk e pranon dorëheqjen

Halit Zogaj ka njoftuar sot dorëheqjen nga pozita e Nënkryetarit të Degës së PDK-së në Malishevë. Ai e ka cilësuar vendimin si hap personal dhe institucional pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj PDK-së dhe misionit politik, por në një formë tjetër të angazhimit.

Në njoftimin e tij, Zogaj ka shprehur falënderime për aktivistët, anëtarët dhe të gjithë mbështetësit e PDK-së në Malishevë, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tyre ndër vite.

Sekretari organizativ i PDK-së në Malishevë, Ruzhdi Kryeziu, ka reaguar për Klina Info lidhur me këtë zhvillim, duke deklaruar se:
“Dorëheqja e Halit Zogajt është dorëzuar, mirëpo ne nuk e pranojmë.”

Ai ka shtuar se Zogaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe se dega e PDK-së në Malishevë dëshiron që ai të vazhdojë rolin dhe angazhimin e tij brenda strukturave të partisë.

Kryeziu po ashtu ka mohuar raportimet e disa mediave lokale që pretendonin se PDK ka arritur një marrëveshje koalicioni me Nismën për zgjedhjet nacionale, duke theksuar se ky informacion nuk është i vërtetë.

Sipas tij, PDK-ja do të vazhdojë punën e saj institucionale dhe vendimet përfundimtare do të merren në organet kompetente të partisë./Klina info