Rritja e pagës minimale në agjendë, Murati thërret takim për nesër

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në një takim të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale në vend.

Telegrafi ka siguruar emailin që u është dërguar nga Ministria e Financave, ku thuhet se takimi do të zhvillohet nesë më 30 tetor në orën 10:00.

Kujtojmë se edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, të dielën më 26 tetor në seancën ku dështoi formimi i qeverisë, gjatë prezantimit të vendimeve që do të marrin si qeveri në javën e parë përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.

Në gusht të vitit 2024 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pagës minimale në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.

Ndërkohë, situata politike e Kosovës mbetet e paqartë, pasi vendi aktualisht është me qeveri në detyrë.

Kjo ka ngritur shqetësime lidhur me ndikimin që mund të ketë mungesa e një ekzekutivi në proceset e vendimmarrjes dhe miratimin e masave të tjera ekonomike.