LDK në Klinë përmbyll fushatën zgjedhore me mesazh uniteti dhe falënderimi për qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Klinë, ka përmbyllur fushatën njëmujore zgjedhore me një tubim të mbushur me emocione, falënderime dhe mesazhe shprese për të ardhmen e komunës.

Në përmbyllje të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përfaqësuesit e LDK-së vlerësuan angazhimin dhe përkushtimin e çdo qytetari, aktivisti e kandidati që kontribuoi në këtë proces.

“Ashtu si e nisëm me ju, po e përmbyllim në mesin tuaj. Fushata njëmujore para zgjedhjeve të 12 tetorit ishte sfiduese, me shumë ankesa, me shumë kërkesa dhe mbi të gjitha me shumë besim, dashuri e sinqeritet nga secili prej jush,” – u tha në fjalën përmbyllëse.

LDK në Klinë falënderoi të gjithë qytetarët që hapën dyert dhe zemrat gjatë takimeve në çdo lagje e çdo fshat të komunës, duke përfshirë veteranë, atdhetarë, profesorë, bujq, mjekë, studentë, bashkësi fetare, biznese dhe të gjithë ata që dhanë mbështetje për vizionin e kësaj partie.

“Ju keni një subjekt politik dhe një kryetar që do t’ju sjellë mirëqenie, mbështetje dhe bashkëpunim dhe ajo është Lidhja Demokratike e Kosovës me z. Arben Limanaj,” – u theksua më tej.

Në përfundim të tubimit, LDK dega në Klinë përcolli edhe mesazhin e saj të bashkimit dhe shpresës:

“Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Klinën. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.”

LDK fton qytetarët e Klinës që më 12 tetor të votojnë numrin 113 dhe Arben Limanaj për kryetar të Klinës.

#meKlinënPërtej
#ZgjedhjetLokale2025
#LDK113