Tentim vjedhje në Klinë, policia jep detaje: Synohet një bankomat, hajnat largohen pa sukses
Një rast i tentim-vjedhjes është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Zajm të komunës së Klinës, ku persona të panjohur kanë tentuar të thyejnë një bankomat të vendosur pranë një marketi lokal.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:10, kur persona të dyshuar janë parë duke u përpjekur të hapin bankomatin e një institucioni bankar në afërsi të Marketit “Nora”.
Pas pranimit të informacionit, njësitë relevante të policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas zyrtarëve policorë, bankomati ka pësuar dëmtime, por nuk është arritur të merret ndonjë shumë parash apo material tjetër.
Të dyshuarit nuk janë hasur në vendngjarje dhe hetimet për identifikimin e tyre janë në proces. Për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent.