PDK mban tubim elektoral në Ujmir, Sokol Bashota merr përkrahje masive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Klinë, ka zhvilluar mbrëmë një tubim elektoral madhështor në Bashkësinë Lokale të Ujmirit, ku morën pjesë qindra qytetarë.

Atmosfera e ngrohtë dhe mbështetja e fuqishme për kandidatin për kryetar të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, dëshmuan përkushtimin e banorëve për ndryshim dhe zhvillim.

Në fjalën e tij, Bashota deklaroi se koha e qeverisë klienteliste po përfundon dhe se më 12 tetor qytetarët e Klinës do të ngrejnë flamurin e dinjitetit dhe zhvillimit.

“Unë kam një program të mirë, të hartuar nga ekspertë të fushave përkatëse. Ne e shohim Klinën të integruar nga pikëpamja bujqësore, blegtorale dhe urbane. Ky vizion do t’u mundësojë qytetarëve të Klinës të ndihen qytetarë të dorës së parë, duke u sjellë të gjitha shërbimet afër dhe me cilësi,” u shpreh Bashota.

Tubimit i dha mbështetje edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili theksoi bindjen e tij se më 12 tetor Klinës do t’i rikthehet dinjiteti dhe zhvillimi nën udhëheqjen e Bashotës dhe PDK-së.

Një fjalë të veçantë mbajti edhe prof. dr. Fadil Millaku, i cili iu drejtua bashkëvendasve të tij nga Ujmiri me thirrjen për të përkrahur fuqishëm kandidatin për kryetar, Sokol Bashota, dhe listën e PDK-së për Kuvendin e Komunës.

Në përmbyllje të tubimit, Bashota u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në rrugën drejt një Klinë më të mirë, më të zhvilluar dhe më të begatë, duke e konsideruar PDK-në si garancinë e këtij ndryshimi.