Me rastin e 27-vjetorit të rënies së dëshmorit Mirush Daka, kryetari i degës së PDK-së në Klinë, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës, Sokol Bashota, ka kujtuar me nderim figurën e tij dhe ka vlerësuar lart kontributin dhe sakrificën e pashoqe për lirinë e vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Bashota shkruan:
“Mirush Daka, sot mbush njëzeteshtatë vjet prej se kur u përjetësua. E kam njohur nga afër në gjirin e tij familjar. Ishim fqinj dhe miq të mirë. Na lidhnin shumë gjëra që i kanë rezistuar dhe do t’i rezistojnë kohës.”
Ai e cilëson Mirush Dakën si një figurë markante dhe një shembull të idealizmit dhe përkushtimit të lartë kombëtar:
“Emri dhe vepra e Mirush Dakës mbesin një fanar i pashuar i atdhetarizmit dhe therorizimit, përkushtimit dhe kontributit, i vetëdijes së lartë prej një intelektuali dhe veprimtari të palodhshëm që nuk kurseu asgjë asnjëherë për interesat madhore të popullit të tij.”
Më tej, Bashota shpreh bindjen se kujtimi për të do të mbetet i gjallë ndër breza:
“Puna, angazhimi dhe sakrifica e tij gjatë gjithë rrugës jetësore figurën e Mirushit e bëjnë të pavdekshëm. Ishte dhe mbetet nderi dhe krenaria e kombit. Shembull i atdhetarëve idealistë, të cilët shërbejnë për brezat e tashëm dhe për ata që vijnë pas nesh.”
“I përjetshëm mbetet kujtimi për Mirushin. Lavdi jetës dhe veprës së këtij dëshmori të kombit!” –përfundon z. Bashota.