Java e Gjidhënies shënohet në Klinë/ Ligjëratë informuese për nënat shtatzëna dhe lehonat

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjidhënies, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, organizon një ligjëratë sensibilizuese dhe informuese për gratë shtatzëna dhe lehonat.

Ligjërata do të mbahet më 6 gusht 2025, në ora 12:00, në sallën e Zyrës së Zhvillimit dhe Promovimit Shëndetësor (ZHVP), dhe do të udhëhiqet nga Dr. Ermira Ibrahimaj, me temën: “Gjidhënia – rëndësia dhe përfitimet për nënën dhe foshnjën.”

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrëset do të informohen rreth: përfitimeve të shumta të ushqyerjes me qumësht gjiri, kujdesit para dhe gjatë shtatzënisë, kujdesit në periudhën e lehonisë.

Po ashtu, do të ofrohen këshilla profesionale, shpërndarje vitaminash, matje të peshës trupore, tensionit arterial, si dhe takime me profesionistë shëndetësorë për diskutime të hapura.

“Ftojmë të gjitha gratë shtatzëna, lehonat, dhe ato që dëshirojnë të mësojnë më shumë mbi gjidhënien, të marrin pjesë në këtë aktivitet me karakter edukues dhe shëndetësor,” – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së QKMF-së Klinë.