Djegia e kulmit të objektit të vjetër të QMF-Ujmirë, reagim i shpejtë nga zjarrfikësit e Klinës

Një incident i rëndë ndodhi ditë më parë në fshatin Ujmire të Komunës së Klinës, ku kulmi i objektit të vjetër të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) u përfshi nga flakët. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të zjarrfikësve të Komunës së Klinës, situata u vu nën kontroll pa pasoja të mëdha në infrastrukturë apo rrezik për jetën e qytetarëve.

Ekipet e zjarrfikësve, të cilët reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm të lartë, arritën të parandalojnë përhapjen e zjarrit dhe të shpëtojnë objektin e ri të QMF-Ujmire. Reagimi i tyre i koordinuar dhe i përkushtuar u vlerësua lart nga drejtuesit institucionalë dhe nga vetë qytetarët e zonës.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë, Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij publik për punën heroike të zjarrfikësve:

“Me reagimin e tyre të shpejtë dhe të koordinuar, ata jo vetëm që kontrolluan situatën, por edhe treguan se siguria dhe shërbimi ndaj qytetarëve mbeten gjithmonë prioritet. Falë juve, rreziku u menaxhua me kujdes dhe u shpëtua objekti i ri i QMF-Ujmire. Ju jeni shembull i një përkushtimi që frymëzon.”

Po ashtu, falënderim i veçantë u drejtua edhe për Policinë e Klinës, për praninë dhe mbështetjen e tyre të pandërprerë në raste emergjente dhe përkushtimin ndaj sigurisë së qytetarëve.

Aktualisht, të gjithë banorët e Ujmirit mund të vazhdojnë të marrin shërbimet shëndetësore në objektin e ri të QMF-Ujmire, ndërkohë që institucionet përkatëse do të merren me vlerësimin dhe sanimin e dëmeve në objektin e vjetër.

Ky rast dëshmoi edhe një herë rëndësinë e gatishmërisë së ekipeve emergjente dhe forcën e solidaritetit brenda komunitetit të Klinës.