Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të infermieres së njohur të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, znj. Roza Sheraj Përgjokaj, pas një kontributi shumëvjeçar në shërbim të qytetarëve dhe sistemit shëndetësor në këtë komunë.
Znj. Sheraj Përgjokaj ka qenë një ndër infermieret më të përkushtuara të QKMF-së, duke u shquar për sjelljen e saj korrekte me pacientët dhe kolegët, si dhe për përkushtimin e palëkundur ndaj profesionit. Ajo ka shërbyer me përkushtim të veçantë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zllakuqan, ku ka lënë gjurmë të thella në kujdesin shëndetësor për banorët e asaj zone.
Në një postim në rrjetet sociale, drejtori i QKMF-së në Klinë, Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të gjithë qytetarët e Klinës, duke e vlerësuar të ndjerën si një profesioniste të rrallë dhe njeri të jashtëzakonshëm.
Mbledhja komemorative do të mbahet nesër, më 09 qershor 2025, në Sallën e QKMF-së në Klinë, me fillim nga ora 10:00, në bashkëpunim me familjen dhe institucionet lokale.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet po atë ditë, në ora 14:00, në Varrezat e fshatit Ranoc.
Qytetarët, kolegët dhe të afërmit janë të ftuar të marrin pjesë për të nderuar kujtimin dhe jetën e saj.