Malisheva dhe Dukagjini janë ndarë baras në përballjen e zhvilluar të shtunën, në kuadër të javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Takimi i zhvilluar në stadiumin e Malishevës përfundoi me rezultat 1:1.
Pjesa e parë u karakterizua me raste të mira, sidomos nga skuadra vendase, por përkundër tentimeve, rrjetat mbetën të paprekura.
Epërsia erdhi në minutën e 56-të për klinasit, të cilët fituan penallti, ndërsa Mërgim Pefqeli u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Dukagjinin në avantazh.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Malisheva e shtoi presionin në kërkim të golit të barazimit dhe arriti ta realizojë atë përmes Drilon Hazrollajt, i cili shënoi në minutën e 85-të.
Me këtë barazim, Malisheva arrin në kuotën e 48 pikëve dhe mban pozitën e tretë në tabelë, ndërsa Dukagjini ka 41 pikë dhe pozicionohet në vendin e gjashtë.