70-vjeçarja nga Kaçaniku që është kthyer nga Italia dërgohet për analiza në QKUK

Një grua e moshës 70-vjeçare nga Kaçaniku që pak ditë më parë ka ardhur nga Italia për në Kosovë, është dërguar urgjentisht në QKUK, nën dyshimet se mund të jetë e infektuar me virusin korona, raporton Gazeta Express.

Rastin e ka konfirmuar për Express drejtoresha e shëndetësisë në Komunën e Kaçanikut, Diana Reka. Ajo ka deklaruar se e njëjta është dërguar për t’iu bërë analizat.

“Po jemi të njoftuar, dyshohet është një person i moshës 70-vjeçare. Jemi të informuar, megjithatë duhet të priten analizat”, ka deklaruar ajo.

70-vjeçarja kishte ardhur ditë më parë nga Italia, derisa, në rast se analizat dalin se ajo është e infektuar me virusin korona, atëherë do të izolohen dy familje, pasi që ditë më parë ajo kishte marrë pjesë në një varrim.

Express merr vesh se gruaja është nga fshati Begracë i Komunës së Kaçanikut.