27 vjet nga Masakra e Pastaselit, kujtohen Osman dhe Armend Mërlaku nga Klina

Nesër në Pastasel të Rahovecit mbahet përvjetori i 27-të i Masakrës së Pastaselit, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë masakër u vranë dhjetëra civilë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe babë e bir nga Komuna e Klinës, Osman dhe Armend Mërlaku, nga fshati Gremnik.

Trupi i Osman Mërlakut është gjetur pas luftës, ndërsa për fatin e djalit të tij, Armendit, ende nuk ka informacione për vendndodhjen e eshtrave të tij, duke e lënë plagën e familjes ende të hapur edhe pas 27 vitesh.

Historia e tyre është rrëfyer ndër vite në shumë kronika dhe raportime mediale, duke u bërë simbol i dhimbjes dhe sakrificës së familjeve kosovare gjatë luftës.

Përvjetori i kësaj masakre do të shënohet me homazhe dhe aktivitete përkujtimore në Pastasel, ku familjarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë do të nderojnë kujtimin e viktimave.

Masakra e Pastaselit mbetet një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të luftës në Kosovë, ndërsa kërkimi për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve vazhdon edhe sot.